
“Martesa” Ancelotti-Brazil mund të dështojë pa filluar, ja arsyet
Pak orë më parë mediat ndërkombëtare deklaruan se Carlo Ancelotti ka vendosur që të marrë drejtimin e kombëtares të Brazilit, por duket se për të disatën herë kanë dështuar negociatat për emërimin e italianit si trajner i ri i “Seleçaos”.
Ashtu siç shkruanin gazetat mungonte vetëm firma… Carletto ishte në Londër të hënën për të nënshkruar kontratën me Federatën e Futbollit të Brazilit. Nënshkrimi duhej të mbërrinte të martën. Në vend të kësaj, pati një ndryshim të madh. Ancelotti thuhet se telefonoi personalisht presidentin e CBF Rodrigues për të shprehur mirënjohjen e tij për interesin e treguar dhe refuzoi ofertën.
Në thelb ka dy arsye. Para së gjithash, Real Madrid nuk ka ndërmend të drejtohet nga një trajner i përkohshëm në Kupën e Botës për Klube.
Trajneri i “Blancos” më pas paralajmëroi se do të ishte i lirë nga gushti, duke i habitur drejtuesit e “Seleçaos”.
Në Brazil, në fakt, menduan se ai tashmë kishte rënë dakord me Florentinon dhe ekipin e tij për t’u larguar nga Madridi në qershor.
Tashmë është e mundur që Ancelotti mund ta udhëheqë ekipin në Kupën e Botës në SHBA.
Më pas është edhe pengesa tjetër, e treguar nga Marca. Thuhet se Carletto mori një ofertë shumë milionë dollarësh nga Arabia Saudite.
Shifrat, të raportuara nga Spanja, flasin për një kontratë faraonike prej rreth 50 milionë euro neto në sezon, para që do të bënin të lëkundej edhe njeriun më pak material në botë.