Maqedonci takon ambasadorin amerikan në NATO, diskutohet anëtarësimi i Kosovës dhe bashkëpunimi në mbrojtje

Maqedonci takon ambasadorin amerikan në NATO, diskutohet anëtarësimi i Kosovës dhe bashkëpunimi në mbrojtje

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, ku në fokus kanë qenë perspektiva euroatlantike e Kosovës dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Sipas njoftimit të Maqedoncit, gjatë takimit Whitaker ka shprehur mbështetjen për integrimin e Kosovës në NATO dhe për vazhdimin e ndihmës amerikane në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Maqedonci ka vlerësuar rolin e SHBA-së në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke veçuar bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Iowa-s, i cili po vazhdon prej më shumë se 15 vjetësh përmes Programit të Partneritetit Shtetëror.

Ky bashkëpunim, sipas ministrit, ka ndikuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në prokurimet ushtarake dhe industrinë e mbrojtjes. Në këtë kontekst, Maqedonci ka përmendur sistemet e blera nga SHBA-ja dhe procedurat e nisura për sigurimin e helikopterëve të tipit Black Hawk, si dhe nevojën për të mbështetur zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.

Një pjesë e bisedimeve i është kushtuar edhe mundësive për bashkëpunim mbi bazën e ndarjes së përgjegjësive, përfshirë kampin Bondsteel dhe Aeroportin e Gjakovës.

Ministri ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përkrahjes amerikane për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe për krijimin e mundësive më të mëdha për pjesëtarët e FSK-së që të përfshihen në programet dhe shkollat e Aleancës.

Në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin me NATO-n lidhur me praninë dhe optimizimin e KFOR-it, si dhe normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës.

Maqedonci ka nënvizuar edhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në sigurinë ndërkombëtare, duke përmendur interesimin për pjesëmarrje në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Në fund, ministri e ka ftuar ambasadorin Whitaker për vizitë në Kosovë, me synimin që dialogu të vazhdojë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve të thellohet më tej.

Ai ka ritheksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për perspektivën e saj euroatlantike.

Share This