Maqedonci: Grupi terrorist i Banjskës i përkrahur nga Serbia, po vendoset afër kufirit me Kosovë

Maqedonci: Grupi terrorist i Banjskës i përkrahur nga Serbia, po vendoset afër kufirit me Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar në një deklaratë të fundit se grupi terrorist përgjegjës për sulmin në Banjskë në vitin 2023, që synonte aneksimin e një pjese të Kosovës, vazhdon të mbetet i lirë dhe i mbështetur nga Serbia, raporton Gazeta Sinjali.

Ai ka shprehur shqetësimin se ky grup, i organizuar dhe i armatosur, vazhdon të mbrohet dhe mbështetet nga struktura të sigurisë në Serbi, shpesh duke u vendosur jo larg kufirit me Kosovën dhe duke pasur lidhje të vazhdueshme me individë dhe grupe në veri të vendit.

“Patjetër është theksuar nga të gjitha dikasteret tona qeveritare, është theksuar nga kryeministri shumë herë, edhe nga ministri i Punëve të Brendshme e Drejtori i Policisë, edhe nga unë, fakti se grupi po vazhdon të mbetet i lirë. Ai grup që ka kryer akt terrorist, që ka qenë një grup i organizuar, i armatosur, i uniformuar që ka synuar aneksimin e një pjese të territorit tonë, përveç që po mbetet i lirë në Serbi, po vazhdon të jetë i mbështetur e i mbrojtur pikërisht nga strukturat e sigurisë së Serbisë, brenda saj dhe shpesh jo larg kufirit me Kosovën. Dhe normalisht që ky grup vazhdon të ketë kontakte edhe me elementë, individë në veri të vendit tonë. E normalisht që ky grup vazhdon t’i ketë ato synime që ka pasur për destabilizimin e pjesës veriore”, tha Maqedonci.

Ai gjithashtu ka theksuar se situata tani është ndryshe nga vitet e kaluara dhe se Kosova është e gatshme të përballojë çdo rrezik.

“Por ekziston edhe mundësia e madhe e institucioneve tona që ta lehtësojnë mposhtin çdo rrezik për vendin tonë, për faktin që tani nuk është viti 2020. Në veri kemi strukturat tona shtetërore, kemi administratën shtetërore, kemi Policinë e Kosovës, nuk është situata e para disa vitesh kur ka pasur mundësi të destabilizohet nga grupe të caktuara, dhe nuk është situata si e para disa viteve”, tha ai në një intervistë për RTK.

Share This