Maloku në Hagë: Është e vështirë ta kuptosh UÇK-në, ushtri që u ngrit prej popullit të robëruar

Maloku në Hagë: Është e vështirë ta kuptosh UÇK-në, ushtri që u ngrit prej popullit të robëruar

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Naim Maloku, ka deklaruar se është e vështirë që të kuptohet funksionimi i një ushtrie që është ngritur nga populli i robëruar siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Këtë deklarim, Maloku e ka bërë të mërkurën në ditën e tretë të dëshmisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është vështirë me e kuptuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Është vështirë me e kuptuar një ushtri që ngritët prej një populli të robëruar, në ushtri vullnetare, në ushtri të rregullt. Kjo ka qenë që na ka bërë bashkë, qëllimi ynë për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Maloku duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon.

Kur është pyetur për Mensur Kosumin, Maloku ka thënë se nuk e ka ditur që personi në fjalë ka qenë shef i zbulimit. “Me tregu të drejtën, për pozitën e tij që e ka pasur si shef zbulimi nuk e kam ditë”, ka thënë Maloku.

Dëshmitari, të martën, për prokurorinë ka thënë se Faton Mehmetaj ka qenë epror i Sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën e Dukagjinit. “Në ato njësi ku kam qenë, në ato takime dhe ato inspektime që i kam bërë, unë nuk e kam pa atë kurrë që të marrë pjesë. Ai ka pas punë tjetër… Nuk kam has kurrkund me punët që ka pas Faton Mehmetaj. Nuk ka pas pikë-kryqëzim askund”, ka thënë Maloku për Mehmetajn.

Dëshmitarit i është prezantuar  edhe deklarata e Faton Mehmetajt për ZPS-në, ku kishte thënë se detyrën si udhëheqës në sektorin e ZKZ-së e ka mbajtur vetëm dy muaj dhe në këtë pozitë pas tij kishte erdhur një person tjetër.

Po ashtu, atij i është prezantuar një dokument që thuhej se është lëshuar nga sektori i ZKZ-së, por që dëshmitari ka thënë se nuk e di se kush është autori.

Sipas Dixon, ky dokument përmbante informacione për punën dhe veprimtarinë e Malokut, gjë për të cilën ky i fundit ka thënë se këtë material e ka parë për herë të parë në Hagë.

Më tutje, Malokut i është prezantua procesverbali i një mbledhjeje të 30 janarit 1999, ku ishte pjesëmarrës një person me emrin Lulzim Morina, për të cilin dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet nëse ai ishte bërë komandant i Brigadës 135.

Ai ka thënë se emërimi i Morinës në këtë brigadë mund të jetë bërë pas muajit maj të 1999-s.

Dokumenti i radhës që i është shfaqur dëshmitarit, ishte një urdhëresë e 22 marsit 1999, e nënshkruar nga Lulzim Morina si komandant i brigadës në fjalë. Maloku ka thënë se nuk e njeh nënshkrimin e tij, por që sipas tij, dokumenti s’ka asnjë shenjë që është i Zonës Operative të Dukagjinit.

Share This