
Macron: Rreziku më i madh është ndarja e botës midis SHBA-së dhe Kinës
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar për një ndarje globale midis fuqive të mëdha, SHBA-së dhe Kinës.
Në të njëjtën kohë, ai bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë midis Evropës dhe Azisë.
Në hapjen e konferencës së sigurisë Shangri-La Dialogue në Singapor, ai foli në favor të një “koalicioni pavarësie” me vlera universale.
Duke iu referuar luftës për ndikim midis SHBA-së dhe Kinës, Macron tha se rreziku më i madh aktualisht ishte ndarja e botës, “një ndarje midis dy superfuqive”.
“Nëse e bëjmë këtë, do ta “vrasim” rendin global dhe do të shkatërrojmë në mënyrë metodike të gjitha institucionet që kemi krijuar pas Luftës së Dytë Botërore”, paralajmëroi Macron.
“Ndoshta kemi nevojë për to shumë më tepër se më parë”, shtoi ai.
“Franca po punon si me SHBA-në ashtu edhe me Kinën”, tha presidenti francez, duke shtuar se vendi i tij nuk donte të ishte i varur.
“Autonomia strategjike është thelbësore për Evropën”, tha Macron.
“Kjo përfshin edhe partneritete të reja. Vendet evropiane dhe aziatike duhet të bashkëpunojnë për mbrojtjen, sigurinë dhe zinxhirët e vlerave – dhe të promovojnë tregtinë dhe dialogun e hapur”, tha ai.
Forumi i sigurisë i Dialogut Shangri-La në Singapor konsiderohet forumi më i rëndësishëm i politikave të sigurisë në rajonin Indo-Paqësor. /atsh/