Macron premton 2 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën

Macron premton 2 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën

Objektivi i samitit që mbledh sot rreth 30 delegacione evropiane në Elysee, është rivendosja e fuqisë negociuese të Ukrainës në bisedimet që synojnë përfundimin e luftës, tre vjet pas pushtimit rus, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas “Le Monde”.

I organizuar nga Parisi dhe Londra, takimi i “koalicionit të të gatshmëve” vjen në një kohë kur bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga administrata Trump me Rusinë po ngecin, pavarësisht lëshimeve të shumta që duket se është gati të bëjë Kievi dhe vendet evropiane.

Në një takim me Volodymyr Zelensky, i cili u mirëprit në Pallatin Elysee dje në mbrëmje, Macron tha se ishte “shumë herët” për të shqyrtuar heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës, pavarësisht kërkesave të bëra nga Kremlini në këmbim të një ndërprerjeje të armiqësive në Detin e Zi.

“Kjo do të varet nga zgjedhja e Rusisë për të respektuar ligjin ndërkombëtar”, tha Macron, duke bërë thirrje për një armëpushim të pakushtëzuar.

“Rusia po mundohet të fitoje kohë dhe ne duhet të vazhdojmë të mbajmë presionin ndaj Moskës”, tha presidenti ukrainas, Zelensky.

“Në afat të shkurtër, ideja është para së gjithash të përforcohet, sa më shumë që të jetë e mundur, mbështetja ushtarake që evropianët po i japin Kievit”, tha Macron.

“Garancia e parë e sigurisë është forcimi i ushtrisë ukrainase, në mënyrë që ajo të vazhdojë t’i rezistojë avancimit të forcave ruse në terren. Dhe, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të qëndrueshme, për të penguar çdo ofensivë të re ruse”, tha presidenti Macron duke njoftuar një paketë të re të ndihmës ushtarake franceze, me vlerë 2 miliardë euro.

“Kjo mbështetje, e cila do të transferohet me këste gjatë javëve ose muajve të ardhshëm, përfshin raketa antitank “Milano”, pajisje të mbrojtjes ajrore si raketat MICA të pajisura me disa avionë luftarakë francezë “Mirage”, raketa të mbrojtjes tokë-ajër “Mistral”, automjete të blinduara VAB, tanke AMX-10 dhe disa tanke të detajuara”, tha ai. /atsh/

Share This