Lushi, Kurtit: Ti dhe qeveritarët po harxhoni miliona euro për udhëtime, ndihmojë krerët e UÇK-së në Hagë
Publicisti shqiptar që jeton dhe vepron në ShBA, Uk Lushi, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që t’i ofrohet ndihmë financiare për liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Sipas tij, Albin Kurti e ka fuqinë ekzekutive brenda pak minutash të alokojë mjetet e domosdoshme për mbrojtje shtetërore të themeluesve të shtetit të Kosovës
“Mos t’i kishim pasur ata burra, që sot janë në Hagë si pengje të drejtësisë politike, krejt pasuria e Kosovës do ishte në duart e Serbisë okupatore dhe ti Albin me miliona shqiptarë ende do të ishit duke protestuar rrugëve të Kosovës. Sot, ti dhe qeveritarët tu po harxhoni miliona tonat për udhëtime, hotele dhe darka, prej Olimpiadave deri në Konventa të partive anembanë botës, prej Madridit në Çikago”, ka shkruar Lushi në “Facebook”
Reagimi i plotë:
Albin Kurti duhet të sillet si burrështetas. Presidentit Thaçi, kryekuvendarëve Veseli dhe Krasniqi dhe kryetarit të grupit parlamentar të LV-së Selimi duhet t’u ofrohet çdo ndihmë financiare dhe tjetër në Gjykatën Speciale.
Albin Kurti e ka fuqinë ekzekutive brenda minutash të alokojë mjetet e domosdoshme për mbrojtje shtetërore të themeluesve të shtetit të Kosovës. Vonimi apo mosmiratimi i pagesave nuk do të mbajë liderët e Kosovës dhe kundërshtarët politikë të Kurtit në Hagë përgjithmonë, mirëpo do të zgjasë vuajtjet e tyre dhe humbjet për Kosovën që do të marrë verdiktin si e pafajshme.
Mos t’i kishim pasur ata burra, që sot janë në Hagë si pengje të drejtësisë politike, krejt pasuria e Kosovës do ishte në duart e Serbisë okupatore dhe ti Albin me miliona shqiptarë ende do të ishit duke protestuar rrugëve të Kosovës. Sot, ti dhe qeveritarët tu po harxhoni miliona tonat për udhëtime, hotele dhe darka, prej Olimpiadave deri në Konventa të partive anembanë botës, prej Madridit në Çikago.
Albin, bëje detyrën për çka të paguajmë e mos na lë të dalim e lypim si popujt pa shtet.
Albin, sillu si shtetar dhe patriot shqiptar! Ndaj mjetet dhe burimet për mbrojtjen e interesit shtetëror dhe nacional! Paratë nuk janë tuat e as të Albulena Haxhiut; janë tonat!