Lukashenko fal 20 të burgosur

Lukashenko fal 20 të burgosur

Udhëheqësi autoritar Alyaksandr Lukashenko, ka zgjeruar valën e faljeve para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në janar në Bjellorusi.

Ai urdhëroi lirimin e 20 të burgosurve, të akuzuar për ekstremizëm, akuza që sipas kundërshtarëve të tij dhe grupeve për të drejtat e njeriut janë të motivuara politikisht.

Sipas zyrës për media të Lukashenkos, vendimet për falje presidenciale u morën për shkaqe humanitare, teksa kjo zyrë tha se 14 nga ata që janë urdhëruar të lirohen kanë sëmundje kronike dhe dhjetë prej tyre kanë fëmijë. Po ashtu u tha se 11 nga 20 personat e liruar janë gra.

Kjo zyrë pretendoi se të gjithë të burgosurit kishin kërkuar që Lukashenka të lëshonte falje presidenciale dhe kishin shprehur pendesë, pretendime që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu u tha se autoritetet do të “monitorojnë sjelljen e tyre pas lirimit”.

Që nga korriku, Lukashenko ka falur mbi 225 persona, të cilët aktivistët i konsiderojnë të burgosur politikë. Grupet për të drejtat e njeriut i kanë cilësuar pothuajse 3.600 persona si të burgosur politikë, që kur shteti ka nisur shtypjen masive pasi protestat prodemokracisë shpërthyen teksa Lukashenko – që është në pushtet që nga viti 1994 – pretendoi se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, që miliona besojnë se u hodhën përmes mashtrimeve zgjedhore.

Para zgjedhjeve presidenciale të 26 janarit, që me siguri do t’i japin atij edhe një mandat të ri, Lukashenko po synon që t’i tregojë Perëndimit se ai ka zbutur qëndrimin e tij dhe ka hequr dorë nga shtypja që shteti nisi që nga zgjedhjet e vitit 2020.

Por, shtypja vazhdon, pasi në Bjellorusi shpesh ka arrestime dhe gjykime që aktivistët thonë se bëhen mbi akuza të motivuara politikisht. Të paktën 1.253 persona që konsiderohen të burgosur politikë janë në burgje, por numri real besohet të jetë më i lartë.

Lukashenko e ka afruar Bjellorusinë me Rusinë dhe i ka ofruar mbështetje luftës së Rusisë kundër Ukrainës fqinje, përfshirë duke lejuar forcat ruse që të nisin pushtimin e Ukrainës nga territori rus. Lukashenko ka thënë se armët bërthamore ruse janë dislokuar në Bjellorusi. /REL/

Share This