Lukaku mahnit Romën, vetëm Batistuta ka bërë më mirë se ai
Romelu Lukaku po përjeton një moment shumë të mirë, me sulmuesin që ishte protagonist në suksesin e fundit në Serie A, atë ndaj Cagliarit.
Jo vetëm kaq, kjo pasi belgu ka rezultuar vendimtar edhe në ndeshje të tjera apo edhe në arenën europiane.
Por, nëse flasim me gjuhën e shifrave, 30-vjeçari ka bërë një nisje perfekte me Romën, aq sa në historinë e klubit vetëm Gabriel Omar Batistuta ka bërë më mirë se Lukaku në 6 takimet e para të kampionatit.
Ish-sulmuesi i Interit dhe Chelsea deri më tani ka shënuar 5 gola në 6 ndeshjet e para në Serie A me Romën, ndërsa argjentinasi mban rekordin me tetë finalizime në 6 ndeshjet e para në kampionatin italian.
Ndaj Cagliarit, Roma regjistroi fitoren e dytë radhazi në Serie A dhe tashmë pozicionohet në vendin e 10-të, duke ngjitur shkallë dhe kjo për meritë të Lukakut, ndërsa belgu ka shënuar edhe dy gola në UEFA Europa League.
Megjithatë, pavarësisht numrave, Lukaku nuk e sheh vetën si lider, sulmuesin i cili deklaroi pas ndeshjes se po bënë vetëm punën e tij.
“Roma është Roma, nuk është e Lukaku-t. Ne jemi një ekip i mirë, por duhet të përmirësohemi sepse jemi në një pozicion të vështirë, duhet të rritemi për tifozët dhe për qytetin. Jam i lumtur për fitoren, më shumë se për golat. Kam punuar gjatë verës ndërsa të tjerët flisnin për mua. Unë nuk flas shumë, por e tregoj veten time në fushën e lojës” – tha Lukaku.