Luka Modriç flet pas rinovimit me Real Madridin: E di se çfarë më pret, jam gati

Luka Modriç flet pas rinovimit me Real Madridin: E di se çfarë më pret, jam gati

Luka Modriç vazhdon të shijojë gëzimet e një rinovimi që hap dyert për një sezon që mund të jetë qershia mbi tortën e karrierës së tij magjike si lojtar i Realit të Madridit.

Ai do të jetë kapiten, do të garojë për të fituar Champions League numër shtatë dhe mund të bëhet lojtari me më shumë tituj në historinë e klubit të bardhë. Për të gjitha këto ai flet në një intervistë në “RMTV”.

SHIRITI I KAPITENIT – “Është një përgjegjësi e madhe. Kur shihni kapitenët që Madridi ka pasur ndër vite, të qenit kapiten i këtij klubi është diçka shumë e bukur, e veçantë dhe jam shumë i lumtur që mund të përfaqësoj Realin si kapiten”.

TROFETË – “Të kesh mundësinë për tu bërë lojtari me më shumë tituj te Reali i Madridit është diçka e pabesueshme. Ka shumë tituj përpara për ekipin dhe ka shumë shpresë, për mua dhe për ekipin. Jam i përgatitur për atë që më pret. Shpresoj që të fitojmë shumë këtë sezon dhe të bëhem lojtari me më shumë tituj”.

GJASHTË CHAMPIONS – “Është diçka e pabesueshme të jesh në një nivel me legjenda si Pako Gento. Të fitosh një Champions është diçka e pabesueshme dhe unë ende e kujtoj gjithmonë ‘La Décima’ (E dhjeta), e cila ishte diçka e veçantë. Më pas, duke e fituar atë një herë, e dëshiron përsëri dhe përsëri, sepse e ndjen dhe e sheh çfarë do të thotë për klubin dhe për tifozët. Prandaj, kur luajmë këtë kompeticion ka diçka të veçantë në lojtarët dhe në klub që na ka bërë të fitojmë kaq shumë Liga të Kampionëve në këto vite”.

MBAPPE – “Jam i lumtur që më në fund ka mbërritur në Madrid. Ai është një nga më të mirët në botë dhe e ka dëshmuar këtë gjatë gjithë këtyre viteve. Ai është një lojtar që ka fituar Kupën e Botës, kundër Kroacisë dhe meje fatkeqësisht, por jam shumë i lumtur që është pranë meje si shok skuadre. Të gjithë do ta ndihmojmë me çdo gjë që të përshtatet dhe të tregojë talentin e tij dhe të arrijë maksimumin”.

KARRIERA – “As në ëndrrat më të bukura nuk do ta kisha menduar se do të arrija deri këtu. Për këtë meritë të madhe ka dhe Reali i Madridit që të shtyn dhe të ndihmon të bëhesh gjithnjë e më i mirë”.

Share This