Luis Enrique: PSG favorite? Shtypi nuk kupton asgjë nga futbolli
Luis Enrique prezanton në një konferencë shtypi ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Dortmundit.
Trajneri spanjoll nervozohet kur i thonë se PSG është favorite: “Kjo është arsyeja pse unë kam disa kohë që them se shtypi nuk di asgjë për futbollin. Gjëja e bukur është të shijosh një ndeshje të veçantë në një atmosferë unike në Evropë. Mendoj se çdo rezultat tjetër përveç kualifikimit në finale do të ishte një zhgënjim për të katër skuadrat”.
Çfarë lloj ndeshjeje presim: “Do të jetë një ndeshje si çerekfinalet. Spekulimet nuk janë pjesë e mënyrës sonë të lojës. Ne do të përpiqemi të fitojmë me futbollin tonë. Do të jetë një shfaqje e mrekullueshme, do të ketë gola”.
PSG-ja e tij është ende në garë për një “Tripletë” të bujshme.
“Që nga ardhja ime kam ndjerë mbështetjen e klubit dhe lojtarëve. Jemi në një proces përmirësimi, ky është vetëm fillimi. Ka një muaj për të kaluar dhe ne ende mund t’i fitojmë të gjitha garat. Duhet të përpiqemi të menaxhojmë emocionet tona mirë, të menaxhojmë mirë presionin”.
Për ecurinë e ekipit. “Jemi përmirësuar në mbrojtje dhe sulm. Por ne ende mund të përmirësohemi, duhet të jemi kërkues. Gjithçka mbetet për t’u bërë. Ne arritëm të kapërcejmë momentet në të cilat ishim inferiorë, arritëm të ktheheshim në minutat e fundit”.
Për pikat e dobëta dhe të forta të PSG-së. “Të gjitha skuadrat kanë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Por temperamenti im është që gjithmonë t’i them vetes se lojtarët e mi janë më të mirët. Ne kemi dobësi, por po punojmë për t’i kapërcyer ato. Gjithçka varet nga zotërimi i topit. Qëllimi ynë do të jetë të dominojmë me top”.
Pasi nuk kishte fituar jashtë në fazën e grupeve, PSG triumfoi kundër Real Sociedad dhe Barcelonës dhe tani synon të tretën në Dortmund.
“Shpresoj që po. Përvoja ime më thotë se nesër është koha për të qenë konkurrues. Në fazën e grupeve nuk arritëm të fitonim jashtë, por e bëmë kundër Real Sociedad dhe Barça. Mund të përsërisim veten ose jo, objektivi është të fitojmë këtu”.