
Luis Enrique: PSG duhet të ketë posedimin për ta përmbysur Liverpool
Paris Saint-Germain duhet të luftojë për ta kontrolluar posedimin e topit në ndeshjen e kthimit të Champions League ndaj Liverpool, në përpjekje për ta përmbysur disavantazhin 1-0 dhe për të siguruar një vend në çerekfinale, ka thënë Luis Enrique, trajneri i skuadrës franceze.
Dy skuadrat pritet të ndeshen të martën në tokën angleze.
“Ndeshja e së martës do të jetë më e ekuilibruar. Jam optimist për atë që ekipi im mund të bëjë. Sigurisht, duhet të mbrohemi dhe të sulmojmë së bashku, ta kemi posedimin sa më shumë që të jetë e mundur dhe të krijojmë raste”, ka thënë Enrique para gazetarëve.
Ai e ka mohuar se atmosfera në “Anfield” mund të jetë problem për PSG.
“Është një stadium legjendar dhe ky fakt është një motivim shtesë për ne”, ka thënë ai.