Luis Enrique paralajmëron Arsenalin: PSG tash është skuadër më e fortë se në tetor

Luis Enrique paralajmëron Arsenalin: PSG tash është skuadër më e fortë se në tetor

Paris Saint-Germain në këtë fazë të Champions League do të jetë shumë më i fortë përballë Arsenal se sa në përballjen e tyre të fazës së hershme të garës në Champions League, ka thënë trajneri Luis Enrique në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale që zhvillohet të martën.

Në tetor, Arsenal kishte fituar 2-0 ndaj PSG-së me gola nga Kai Havertz dhe Bukayo Saka. Por që atëherë, PSG ka fituar titullin e katërt radhazi në Ligue 1, ka siguruar një vend në finalen e Kupës së Francës dhe ka eliminuar  nga Champions League skuadra si Liverpool dhe Aston Villa.

Duke folur për humbjen e tetorit, Luis Enrique, ka thënë se tash ekipi i tij është më mirë.

“Kjo ka ndodhur shtatë ose tetë muaj më parë. E kam parë përsëri atë ndeshje. Sot jemi një ekip shumë më i mirë”, është shprehur tekniku spanjoll.

Ai ka shtuar se faza e grupeve ka qenë jashtëzakonisht intensive dhe sfiduese, duke i forcuar ata edhe më shumë si skuadër. “Tani jemi më të plotësuar. Çelësi për sukses do të jetë menaxhimi i presionit”, ka thënë trajneri i skuadrës franceze.

Arsenali, që ka eliminuar Real Madrid me një rezultat të përgjithshëm 5-1 në çerekfinale, këtë sezon nuk ka pësuar humbje në shtëpi në Champions League.

Luis Enrique i ka vlerësuar lart rivalët anglezë, duke i cilësuar si “një nga ekipet më të mira në Evropë”, por ka theksuar besimin e tij te PSG.

“Të gjithë e meritojmë të jemi këtu. Mua më pëlqen skuadra ime më shumë, prandaj jam këtu”, ka thënë ai.

Si PSG, ashtu edhe Arsenali, janë në kërkim të trofeut të tyre të parë në elitën evropiane. Luis Enrique ka thënë se kjo sfidë nuk duhet të krijojë presion shtesë:

“Ne jemi ambiciozë dhe duam të bëjmë histori. Është një objektiv i vështirë, por skuadra ka shumë vetëbesim dhe duhet të përqendrohet vetëm në lojën e saj”, është shprehur ai.

Share This