Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, foli sot në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme të Kupës së Francës mes skuadrës së tij dhe Rennes.
Ndër çështjet me të cilat ai duhej të merrej ishte edhe diskutimi mbi Kylian Mbappe dhe fjalët e shkëmbyera mes të dyve në ndeshjen e fundit në kampionat kundër Olympique Marseille.
Një Luis Enrique mjaft i irrituar është shprehur për këtë çështje si më poshtë: “Ajo që është kurioze është se një gënjeshtër gjeneron lajme. Dikush shpiku një fyerje dhe nga aty dolën lloj-lloj spekulimesh. Pas ndeshjeve jam i lodhur, kam pak energji, por e përjetoj gjithë këtë me qetësi totale. Unë e bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jam i lumtur me të gjithë lojtarët e mi, përfshirë Kylian. Ai është sjellë gjithmonë në mënyrë spektakolare”.
Luis Enrique vazhdon: “Dhe unë do të doja që sezoni të përfundojë mirë për PSG-në dhe mrekullisht për Kylian gjithashtu. Ne jemi të gjithë në të njëjtën anije duke u përpjekur të arrijmë portin e suksesit.”