Luis Enrique kapet keq me gazetarët pas suksesit ndaj Rennes, trajneri: Ju nuk dini asgjë, vetëm kritikoni
Paris Saint-Germain u rikthye te suksesi në kampionat, me kampionët në fuqi, të cilët triumfuan 1-3 në “Roazhon Park” përballë Rennes.
Një fitore e rëndësishme, pasi PSG u prezantua pas barazimit në kampionat ndaj Clermont dhe disfatës në Champions League ndaj Newcastle, ndërsa pas sfidës, trajneri Luis Enrique u shpreh i lumtur për rezultatin, por spanjolli nuk kurseu tonin e ashpër ndaj gazetarëve.
“Fillim i dobët i ndeshjes? Për ju po sepse ju shihni vetëm gjërat negative, ju vetëm kritikoni dhe këtë e bëni gjithmonë, kur fitojmë, kur humbasim apo edhe kur barazojmë. Megjithatë, le të flasim për futboll, në 25 minutat e para, Rennes ishte më mirë dhe ne e prisnim diçka të tillë. Ata janë një skuadër shumë e fortë, kompakte dhe për më tepër luajtëm në shtëpinë e tyre. Me kalimin e minutave në u përmirësuam, Vitinha na çliroi të gjithëve. Jam shumë i lumtur për fitoren dhe lojtarët bënë një punë të mirë. Natyrisht ka ende vend për punë, por atë që shihni në fushën e lojës, apo edhe unë dhe stafi im nuk jemi makineri që në çdo ndeshje të dominojmë, të shënojmë 4 apo 5 gola. Natyrisht, ju i shihni gjërat ndryshe nga unë, por kjo nuk do të thotë aspak që kjo ndikon te ne”, përfundoi Luis Enrique.
Spanjolli u largua nga konferenca jo në humorin e duhur, ndërkohë që PSG tashmë pozicionohet në vendin e tretë me 15 pikë, dy më pak se kryesuesit e Monaco.