
Lufta në Ukrainë, negociatorët e SHBA dhe Rusisë bisedojnë për armëpushimin dhe Detin e Zi
Në kryeqytetin e Arabisë Saudite u mbajtën të hënën bisedimet për armëpushimin e pjesshëm mes Rusisë dhe Ukrainës në luftën e tyre trevjeçare.
Bisedimet po zhvillohen mes negociatorëve amerikanë dhe atyre rusë, një ditë pasi në tryezë u ul pala ukrainase. Si Ukraina, edhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për pengesa në bisedime.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se për diskutim është pushimi i sulmeve në objektet energjetike dhe infrastrukturore, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se marrëveshja duhet të mbrojë edhe vijën hekurudhore dhe portuale të vendit. Kremlini nga ana e vet tha të hënën se do i qëndrojë premtimit që presidenti Vladimir Putin i bëri homologut Donald Trump javën e kaluar për të ndaluar goditjen e objektivave energjetikë, pavarësisht sulmeve të Kievit.
Grigory Karasin, kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në parlamentin rus, që ishte pjesëmarrës në bisedimet e së hënës, i tha agjencisë së lajmeve “Interfax” se negociatat po vijojnë “në mënyrë kreative” dhe se delegacionet amerikane e ruse “i kuptojnë qëndrimet e njëra-tjetrës”.
Agjencia britanike “Reuters” raportoi se në vazhdën e negociatave për armëpushim po shihen edhe propozimet e mëtejshme të palëve, në rrafshin ekonomik dhe politik.
Rusia është ndëshkuar me sanksione nga Perëndimi për nisjen e pushtimit luftarak të Ukrainës dhe mësohet se presidenti Putin ka kërkuar që ndër objektivat e afërt për t’u arritur është heqja e vendit të tij nga lista e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së, si dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në Ukrainë. Zgjedhjet e fundit në Ukrainë u zhvilluan në vitin 2019, tre vite përpara se të niste lufta. / AP, Reuters