
Lufta e Mashkullorës, beteja më e suksesshme e Çerçiz Topullit kundër pushtuesit osman
Më 18 mars të vitit 1908 forcat turke nisën sulmin kundër çetës së Çerçiz Topullit. Pavarësisht numrit shumë herë më të madh të ushtarëve osmanë, çeta e Çerçiz Topullit mundi të çante rrethimin.
Kjo betejë njihet si Lufta e Mashkullorës dhe shënonte një hap tjetër në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që shikonte edhe luftën e armatosur si mjet për të arritur qëllimet e veta politike.
Aksioni i i parë që bëri jehonë jo vetëm në Gjirokastër, por edhe përtej kufijve të Perandorisë Osmane, ishte vrasja e Bimbashit në shkurt të vitit 1908 nga çeta e Çerçiz Topullit. Bimbashi, Halil Musa Beu, ishte komandant i xhandarmërisë në Gjirokastër.
Gjithashtu, më 18 mars 1934, 91 vjet më parë, u përurua në Gjirokastër shtatorja e heroit kombëtar Çerçiz Topulli. Kjo vepër, e realizuar nga skulptori Odhise Paskali, u mundësua nga kontributi financiar i vetë qytetarëve të Gjirokastrës dhe gjirokastritët e mërguar në Amerikë, si një nismë e propozuar së pari nga gazetari Xhevat Kallajxhi. Kryetar i komisionit për kryerjen me sukses të projektit ishte Kryetari i Bashkisë së kohës Sami Kokalari. Ceremonia e organizuar me atë rast ishte masive. Atmosfera u bë edhe më entuziaste, kur grupi i të rinjve, me kostumet tradicionale këndoi dhe kërceu këngën për Çerçiz Topullin.