‘Luajtja bixhoz me aleatët’, Konjufca reagon ndaj deklaratës së Osmanit: Mund të përdorte fjalë të tjera për ta kritikuar qeverinë

‘Luajtja bixhoz me aleatët’, Konjufca reagon ndaj deklaratës së Osmanit: Mund të përdorte fjalë të tjera për ta kritikuar qeverinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas kritikave të presidentes Vjosa Osmani ndaj qeverisë, veçanërisht për marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.

Konjufca ka komentuar deklaratën e Osmanit e cila ka thënë se “qeveria po luan bixhoz me aleatët për interesa politike”.

Sipas tij, presidentja nuk ka gjetur fjalët e duhura për ta kritikuar qeverinë, duke thënë se “duhen gjetur mënyra të tjera se si të shprehet kjo”.

“Unë nuk mendoj që presidentja e ka gjetur fjalën më të duhur për ta bërë një kritikë për qeverinë. Mendoj që ka edhe mënyra tjera si shprehet kjo. Mospajtimet gjithmonë i kemi pasur edhe ato janë evidente sidomos për temat, dialogu, asociacioni i komunave, vendimi apo jo i Asociacionit në Kushtetuese veprimet e Qeverisë në veriun e Kosovës… mund të ketë dallime, mirëpo mendoj se duhet të ja ruajmë integritetin institucioneve dhe përgjegjësisë që e përfaqësojmë. Ma merr mendja që ka hapësirë të madhe që kritikat edhe mospajtimet me i shpreh në mënyra tjera dhe jo me përdorë fjalë të cilat janë goditëse për njëra-tjetrën”, ka thënë  Konjufca për “RTV 21”.

Ndërkohë, Osmani gjatë fjalimit të saj në Kuvend javën e kaluar është shprehur: “Aleancat janë këtu për na të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës tonë. Shihni deklaratat e liderëve të superfuqive botërore, do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kalojnë me aleatë, sepse nuk mund të ia dalin vetëm. Prandaj, asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimin i emrit të tyre për të fituar pushtet. Asnjë njëra e as tjera nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleatëve bazuar në parime dhe vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çoi interesat e Kosovës përpara”.

Share This