LRFP shpall ‘Laureatët e vitit 2024’, Ademi: FFK-ja do të bëjë çmos në përmirësimin e mëtejmë të kushteve infrastrukturore
Lidhja Rajonale e Futbollit të Pejës, ka organizuar manifestimin tradicional ‘Laureatët e vitit 2024’.
Pjesë e këtij eventi sportiv ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, raporton Rekordi.net.
Numri një i futbollit tonë përmes llogaris së tij në rrjetet sociale, ka premtuar që FFK gjithnjë do të jetë afër tyre dhe do të bëjë çmos në përmirësimin e mëtejmë të kushteve infrastrukturore, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe ato qendrore.
Postimi i plotë:
Në këtë manifestim u nderuan klubet dhe individët më të suksesshëm në këtë rajon në vitin që e lamë pas.
Me këtë rast u shpreha mirënjohje dhe i falënderova drejtuesit e klubeve e të shkollave të futbollit, trajnerët, ish-futbollistët dhe futbollistët për angazhimin e tyre që futbolli në këtë rajon të ketë ecuri të mbarë dhe në promovimin e talenteve.
Në emër të KE të FFK-së dhe komunitetit të futbollit i shpreha mirënjohje dhe falënderim të veçantë kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, por edhe krerëve të komunave tjera të këtij rajoni për mbështetjen që po i japin futbollit.
Komunitetin e futbollit të këtij rajoni e sigurova se FFK-ja do të qëndrojë gjithmonë afër tyre dhe do të bëjë çmos në përmirësimin e mëtejmë të kushteve infrastrukturore, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe ato qendrore. Gjithashtu rikujtova se 2025-ta do të jetë vit i reformave dhe digjitalizimit të LRF-ve, për një organizim më efikas.
Të gjithë laureatët e shpërblyer i urova për sukseset e arritura, duke i inkurajuar që edhe në këtë vit të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për arritje të reja dhe avancimin e mëtutjeshëm të futbollit. /Rekordi.net/