Llapi siguron finalen e Kupës me fitoren e dytë ndaj Drenicës

Llapi siguron finalen e Kupës me fitoren e dytë ndaj Drenicës

Llapi është finalist i Kupës së Kosovës në futboll, pasi ka konfirmuar dominimin ndaj Drenicës edhe në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ka triumfuar me rezultat 2:0 në stadiumin “Bajram Aliu” të Skënderajt, duke e mbyllur dy-ndeshjen me rezultat të përgjithshëm 4:0.

Heroi i takimit ka qenë Arianit Hasani, i cili ka realizuar të dy golat për Llapin, duke vulosur fitoren dhe kualifikimin bindës të ekipit nga Podujeva.

Pas pjesës së parë pa gola, Llapi ka treguar më shumë qartësi në lojë gjatë pjesës së dytë, duke shfrytëzuar rastet dhe duke mbajtur kontrollin e plotë të situatës.

Me këtë sukses, skuadra e Batatinës ka konfirmuar ambiciet për trofe dhe për një rikthim në skenën evropiane, pasi fituesi i Kupës siguron pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare.

Llapi do ta mësojë sonte kundërshtarin e finales, pas përballjes mes Prishtinës dhe Dritës në kryeqytet. Prishtina e nis takimin me epërsi 1:0 nga ndeshja e parë.

Share This