Llapi lider i ri i Superligës, s’ka fitues në Gjilan, fiton edhe Feronikeli ‘74

Llapi lider i ri i Superligës, s’ka fitues në Gjilan, fiton edhe Feronikeli ‘74

Llapi është bërë lideri i ri i Superligës së Kosovës duke triumfuar ndaj Lirisë së Prizrenit në shtëpi me rezultat bindës 3:0.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina nuk e shpërdoroi rastin e dhënë pas gabimit të Ballkanit, duke i dhënë leksion Lirisë.

Pas vetëm tetë minutave lojë, Leotrim Bekteshi me një gol të bukur pas asistimit të Namanit e kaloi Llapin në epërsi.

Ndërsa, Adem Maliqi u përkujdes për të dyfishuar epërsinë pas një tjetër asistimit të Namanit (17’).

Liria kishte raste të këndellet përmes Valmir Berishës, por ky i fundit dështoi dy herë t’i shënonte Ilir Avdylit.

Pjesa e dytë ishte më e qetë, ku dy skuadrat kishin më pak raste. Golashënuesi më i mirë Muhamet Hyseni me një gol fantastik e vulosi çështjen e fituesit.

Me këtë fitore, Llapi mbledh 54 pikë si lider aktual në Superligë derisa Liria mbetet në fund me 10 sosh.

Në anën tjetër, Feronikeli ’74 e ka mposhtur rivalin direkt në garën për mbijetesë, Fushë Kosovën me rezultat 1:0.

Ndeshja ishte shumë e baraspeshuar, ku dy klubet kishin pak raste shënimi – por që dështuan t’i konkretizojnë.

Dallimin e bëri talenti Ibrahim Cërvadiku me një gol të bukur pas një aksioni të shpejtë të vendasve (8’).

Tani, Nikli ngritët në pozitën e shtatë me 29 pikë derisa Fushë Kosova qëndron në vendin e parafundit me 20 sosh, raporton nacionale.

Në anën tjetër, Gjilani s’ka arritur t’i fitojë pikët e plota në shtëpi ndaj Dukagjinit, me epilogun përfundimtar që doli të jetë 1:1.

Elton Cale kaloi Gjilanin në epërsi pas 15 minutave lojë, por që Dukagjini arriti ta barazonte rezultatin me Atlin Mërlakun (54’).

Gjilani tani bie në vendin e tetë me 27 pikë derisa Dukagjini mban pozitën e gjashtë me 35 sosh.

Share This