
Llapi kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës, ‘rrëzon’ Malishevën
Llapi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Llapjanët e regjistruan një fitore të madhe në Malishevë duke triumfuar me rezultat 1:0.
Golin e fitores për skuadrën e Tahir Batatinës e shënoi Ardit Tahiri në fund të pjesës së parë pas asistimit të Arbnor Ramadanit.
Nga ana tjetër, ekipi i Bekim Isufit i pati disa raste të mira shënimi, por nuk ia doli t’i gëzonte tifozët e tij në stadiumin “Liman Gegaj”.
Ndërkaq, nesër do të luhen dy ndeshje të tjera çerekfinale.
Derbi i moçëm mes Vëllaznimit dhe Prishtinës do të luhet në Gjakovë, kurse Drita do ta vizitojë Prishtinën e Re.
Në çerekfinale do të luhen vetëm nga një ndeshje, prandaj ekipet fituese kualifikohen në gjysmëfinale të Kupës, shkruan Express.
Siç dihet, fituesi i Kupës së Kosovës e siguron edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.
Prandaj edhe ky trofe është mjaft i çmuar dhe i lakmueshëm për klubet kosovare.