
Liverpooli fiton me spektakël ndaj Tottenhamit dhe shpallet kampion i Ligës Premier
Liverpooli ka shënuar një fitore të madhe me rezultat 5-1 në shtëpi ndaj Tottenhamit në kuadër të javës së 32-të në Ligën Premier, duke u shpallur kështu kampion i Anglisë.
Të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët të cilët realizuan për rezultatin 1-0 me anë të Dominic Solankes (12’).
Kjo ishte e tëra çfarë pamë nga Tottenhami në këtë sfidë, pasi në vazhdim ‘Të Kuqtë’ dhuruan spektakël për shikuesit në tribuna, duke realizuar plotë pesë gola.
Në minutën e 19-të Liverpooli barazoi shifrat duke realizuar për 1-1 me anë të Luis Diaz pas asistimit nga Dominik Szoboszlai.
Nuk kaloi shumë kohë dhe vendasit shënuan sërish, këtë herë përmes Alex Mac Allister (24’) që shënoi një gol fantastik për rezultatin 2-1.
Saktësisht vetëm dhjetë minuta më vonë, Cody Gakpo (34’) ishte në vendin e duhur për ta çuar topin në rrjetë për 3-1.
Mohamed Salah u përkujdes që të shënontë për 4-1 në minutën e 63-të pas asistimit nga Szoboszlai, teksa për rezultatin përfundimtar të takimit Destiny Udogie (69’) i mysafirëve realizoi autogol për 5-1, shkruan telegrafi.
Kështu pas kësaj fitore Liverpooli automatikisht është shpallur kampion i Ligës Premier, teksa kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u luajtur.