“Liverpool është gati për luftë”, Van Dijk: Duhet të shijojmë futbollin!
Liverpool do të synojë të ruajë ecurinë pozitive në kampionat teksa të mërkurën presin në Anfield, Luton.
Virgil Van Dijk, theksoi se skuadra e tij do të luftojë deri në fund për të ruajtur kreun e klasifikimit dhe për të zbritur nga froni Manchester City.
Mbrojtësi holandez shtoi se pavarësisht dëmtimeve të shumta, ekipi i tij është gati për të luftuar dhe për të triumfuar në Premier League.
“Nuk mund të mohojmë që kemi pasur shumë dëmtime dhe mbi të gjitha kemi humbur lojtarë me shumë kualitet. Megjithatë, organika është e pasur dhe ka shumë lojtarë që përshtaten në disa role, kjo është edhe meritë e klubit që ka pikasur futbollistët e duhur.
Në këtë sezon ku synojmë maksimumin do të kemi nevojë për kontributin e të gjithëve. Jemi në garë në të gjitha frontet dhe do të kërkojmë që kështu të mbetet deri në fund. Qetësia në momentet e presionit është vendimtare.
Çelësi për të ruajtur qetësinë? Mjafton të shijojmë futbollin, dhe të jemi gati edhe në momentet kur do të na duhet të vuajmë sepse kjo do të ndodhë, jemi në Premier League, çdo skuadër tenton të të bëjë dëm. Është një kampionat shumë i vështirë, mjafton të shihni rivalët si Manchester City dhe Arsenal”, u shpreh Van Dijk.