“Lideri ynë”, Newcastle rinovon me “gjigantin” e mbrojtjes
Rinovim te Newcastle. Bardhezinjtë kanë zgjatur bashkëpunimin me një nga titullarët. Bëhet fjalë për Dan Burn, i cili ka firmosur deri në verën e vitit 2025 me klubin e Premier League.
31-vjeçari luan në “St. James Park” prej janarit të vitit 2022, kur u transferua nga Brighton për 15 mln euro. I lumtur rreth këtij rinovimi u shfaq trajneri Eddie Howe, i cili deklaroi:
“Dan është lider brenda dhe jashtë fushës, kështu që jemi të lumtur për rinovimin e tij. Ai është një pikë e fortë e jona, teksa ka luajtur një rol të madh në përmirësimin e Newcastle.
Ai e di saktësisht se çfarë do të thotë të përfaqësosh klubin tonë të shkëlqyer. Mbi të gjitha është i uritur për fitore dhe suksese”.
Gjatë aventurës me Newcastle, skuadër që këtë sezon garon edhe në grupet e Champions League, mbrojtësi i majtë numëron 70 ndeshje.