
Lideri suprem i Iranit emëron ish-kreun e Gardës, Rezaee në postin më të lartë të sigurisë
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka emëruar ish-komandantin e Gardës Revolucionare, Mohsen Rezaei, si sekretar të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, në një nga ndryshimet më të rëndësishme në krye të aparatit të sigurisë së vendit.
Rezaei do të shërbejë gjithashtu si përfaqësues i Khameneit në Këshill, i cili luan një rol qendror në përcaktimin e politikës së sigurisë kombëtare dhe strategjisë së Iranit. Emërimi vjen në një periudhë tensionesh të larta në rajon dhe përballjeje të vazhdueshme të Teheranit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Pozicioni më parë mbahej nga Ali Larijani, i cili, sipas raportimeve, u vra në sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit në mars. Ai u pasua nga Mohammad Baqir Zolghandr, gjithashtu një figurë e lartë e Gardës Revolucionare.
Mohsen Rezaei ka shërbyer për vite me radhë si komandant i Gardës Revolucionare dhe ka pasur një rol qendror në operacionet ushtarake gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980, të cilën Teherani e cilëson si “Mbrojtja e Shenjtë”.
Rezaei është gjithashtu anëtar i Këshillit për Diagnostikimin e Interesave të Regjimit, një organ institucional që, ndër të tjera, ndërhyn për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Parlamentit iranian dhe Këshillit të Gardianëve.
Pas ngritjes së Mojtaba Khameneit në postin e Udhëheqësit Suprem të Republikës Islamike në mars, Rezaei ishte emëruar edhe si këshilltar i tij ushtarak.
Në të njëjtën kohë, Khamenei ka emëruar Mohammad Baqir Zolghandr si këshilltarin e tij politik, duke përmbyllur riorganizimin e dy pozicioneve të rëndësishme pranë zyrës së Udhëheqësit Suprem.
Emërimet e reja forcojnë praninë e figurave me lidhje të forta me Gardën Revolucionare në nivelet më të larta të udhëheqjes iraniane, në një kohë kur Teherani përballet me presion të madh ushtarak, ekonomik dhe diplomatik. /rtsh/

