Lideri i vrarë i Hamasit, është varrosur në periferi të Katarit
Ceremonia e varrimit e Ismail Haniyehut, liderit të vrarë të Hamasit është zhvilluar në Katar. Lutjet për liderin që u vra të mërkurën në Teheran janë mbajtur në xhaminë Imam Muhamed bin Abdul Wahhan – që është më e madhja në Katar para se të varroset në varrezat në Lusail, qytet ky në veri të Dohas.
Figura të rëndësishme të lëvizjes Hamas, përfshirë Khaled Meshaal-in, paraardhësin e liderit të vrarë, kanë pritur arkivolin me trupin e Ismailit në Aeroportin e Dohas.
Turqia dhe Pakistani kanë mbajtur sot Ditë Zie për nderë të liderit të vrarë Haniyeh.
Një ceremonie mortore të veçantë të mbajtur në Teheran, u priu udhëheqësi supreme i Iranit Ayatollah Ali Khamenei i cili më herët është betuar se Izraeli do të dënohet rëndë për vrasjen e liderit të Hamasit.
Ismail Haniyeh, që nga viti 2019 po qëndronte në Doha të Katarit. Zyra politike e Hamasit ishte zhvendosur në Doha në vitin 2012 pas mbylljes së zyrës në Damask të Sirisë.
Ismail Haniyeh u vra në Teheran ku kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Iranit Masoud Pezeshkian ndërsa një raketë që thuhet se ishte me dirigjim kishte goditur rezidencën e tij. Hamasi ka fajësuar Izraelin por Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë edhe pse më herët është zotuar për eliminimin e liderëve të Hamasit. /rtk