
Licencohen 10 klube për garat evropiane, një klub ngec
10 klube kanë arritur ta kalojnë me sukses procesin e licencimit për garat evropiane. Komisoni i Shkallës së Parë në kudër të Departamentit të Licencimit në FFK ka marrë vendimet për Licencimin e klubeve për garat e UEFA-s, për edicionin garues 2025/26.
“Në total sivjet kanë aplikuar 11 klube, 9 nga Superliga e meshkujve dhe 2 nga Superliga e femrave. 10 nga këto klube janë licencuar, duke e fituar të drejtën që varësisht nga rezultatet sportive, të paraqitën në garat e UEFA-s, kurse një klub nuk ka marrë licencën”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Sipas FFK-së klubet e licencuara janë: FC Drita, FC Ballkani, FC Malisheva, KF Ferizaj, SC Gjilani, FC Prishtina, KF Llapi, KF Dukagjini, si dhe tek femrat: KFF Dukagjini dhe KFF Mitrovica.
Klubi i vetëm të cilit i është refuzuar licensa është FC Suhareka. Kjo e fundit aktualisht ndodhet në pozitën e parafundit dhe pa shpresa për dalje në Evropë.
Ndërkaq, nga klubet e licencuara krahas Dritës si lidere e Superligës dhe Ballkanit që zë pozitën e dytë, për një vend në garat evropiane luftojnë edhe Malisheva, Gjilani, Ferizaj dhe Dukagjini përmes ligës, si dhe Prishtina e Llapi përmes kupës.