Letër e hapur për Presidentin e Shqipërisë, z. Bajram Begaj: A është e vetëdijshme Presidenca për dëmin që po i shkakton Kosovës?

Letër e hapur për Presidentin e Shqipërisë, z. Bajram Begaj: A është e vetëdijshme Presidenca për dëmin që po i shkakton Kosovës?

I nderuar z. President,

Në emër të gjithë atyre që besojnë në një marrëdhënie të ndershme dhe vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, po ju drejtohemi me këtë letër të hapur për të ngritur një çështje të rëndësishme, që fatkeqësisht po kalon pa asnjë reflektim apo përgjigje nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë.

Prej kohësh, është bërë praktikë e zakonshme që Shqipëria të japë pasaporta për futbollistët nga Kosova, duke u krijuar atyre një mundësi që t’i bashkohen Kombëtares shqiptare. Në pamje të parë, kjo mund të duket një gjest mikpritës, por në realitet është një politikë që po e dëmton Kosovën dhe përfaqësimin e saj ndërkombëtar.

A është Presidenca shqiptare e vetëdijshme për këtë? Apo presidenti thjesht po vendos firmën mbi një vendim që nuk i është shpjeguar me të gjitha pasojat që ka?

Pasaporta shqiptare – Një mekanizëm i keqpërdorur në dëm të Kosovës
Nuk është fjala për atë se kush luan për Shqipërinë dhe kush për Kosovën. Askujt nuk mund t’i mohohet zgjedhja personale. Por ajo që është problematike dhe e padrejtë është fakti që Shqipëria, përmes dhënies së pasaportave, po e dobëson drejtpërdrejtë Kosovën. Për vite me radhë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka përfituar nga talentet e Kosovës, duke e përdorur lehtësinë e marrjes së pasaportës për të rekrutuar lojtarët më të mirë që Kosova ka prodhuar.

A është kjo një politikë e mirëmenduar nga shteti shqiptar? Nëse po, atëherë duhet të pranohet hapur që Kosova po trajtohet si një rezervuar lojtarësh për Shqipërinë, dhe jo si një partner i barabartë. Nëse jo, atëherë kjo është një politikë e gabuar që kërkon të rishikohet menjëherë.

Kur Shqipëria jep e kur refuzon pasaporta?

  1. President, ka një hipokrizi të madhe në këtë qasje. Kur vjen puna për të ndihmuar shqiptarët që janë të përndjekur politikisht, gazetarët nga Presheva që kanë nevojë për një dokument që t’i mbrojë nga persekutimi serb, apo intelektualët që kanë dhënë kontribut për çështjen kombëtare, Shqipëria është e mbyllur. Në raste të tilla, shteti shqiptar shpesh refuzon t’u japë pasaporta, duke u fshehur pas burokracive.

Por, kur vjen puna për të rekrutuar futbollistë dhe për të dobësuar Kosovën, atëherë nuk ka asnjë problem që pasaporta të jepet brenda natës.

Kjo nuk është drejtësi. Kjo nuk është as kombëtare. Kjo është një lojë e padrejtë që e shfrytëzon Kosovën në mënyrë të njëanshme.

A do të përgjigjet Presidenca?

  1. President, nëse Presidenca është e vetëdijshme për këtë politikë dhe e mbështet atë, atëherë le ta thotë hapur. Le të thuhet publikisht se Kosova shihet vetëm si një rezervë për Shqipërinë dhe asgjë më shumë.

Nëse kjo nuk është qëllimi, atëherë pse nuk ka një reflektim për dëmin që po i bëhet Kosovës? Pse Shqipëria, në vend që ta ndihmojë Kosovën të zhvillohet si shtet, po e vë përpara sfidave dhe po ia bllokon çdo rrugë përparimi?

Ka ardhur koha që të jepet një përgjigje e qartë dhe të sqarohet njëherë e mirë: A është Shqipëria me të vërtetë në krah të Kosovës, apo vetëm kur i leverdis? /preshevajone/

Share This