“Lëndimi i tmerrshëm, më i rëndë që mund të ketë pasur një futbollist”, flet mjeku i Diakhaby
“Beteja është e gjatë, por ndihem gati dhe do të bëj gjithçka është e mundur që të kthehem sa më shpejt në fushë”, ishin këto fjalët e para të Mouctar Diakhaby, lojtarit të Valencias që u dëmtua në mënyrë të pavullnetshme nga Tchouameni në ndeshjen ndaj Real Madrid.
Francezi dëmtoi rëndë gjurin dhe në rastin më të mirë mund të kthehet në fushë vetëm pas një viti. Mjeku që mori përsipër rastin e 27-vjeçarit, Enrique Gastaldi, theksoi se para se të mëndojë rikthimin në fushë të Diakhaby, i duhet të mendojë që francezi të rikthehet të ecë normalisht.
“Është një dëmtim shumë i rrallë, por mund ta them me siguri se është më seriozi që një futbollist mund të pësoj në gju. Ka këputur katër apo pesë ligamente, një dëmtim i frikshëm. Gjuri ka dalë nga vendi, kocka ka lëvizur. Kur kjo ndodh mund të këputet arteria, vena apo nervi.
Bëhet fjalë për diçka shumë serioze. Gjëja e parë që unë mendoj kur përballem me një dëmtim të tillë është nëse pacienti do të rikthehet të ecë pa problem, nuk mendoj për rikthimin e tij në fushë.
Duhen minimalisht nëntë apo 12 muaj për të parë të gjithë ecurinë, nuk mund të flitet për data pasi është e pamundur ta parashikosh. Mund të duhen edhe një apo dy operime të tjera. Kur dëmton arterien rrezikon këmbën”, u shpreh Gastaldi.
Sakaq, doktori personal i tenistit Carlos Alcaraz, Juan José López Martínez shkoi më tej duke u shprehur se Diakhaby mund ta ketë mbyllur para kohe karrierën si futbollist.