LeBron mbush 39-vjeç, “Mbreti i basketbollit” është në maja edhe në “pleqëri”
Kur ai debutoi në NBA, supertalentit të sotëm Wembanyama i duheshin edhe 67 ditë për të lindur.
Kështu e nis e përditshmja spanjolle “Marca”, ditirambin e saj për legjendën e gjallë të basketbollit, LeBron James.
Kjo sepse këtë të shtunë të 30 dhjetorit, i mbiquajturi “Mbreti” mbushi 39 vjeç.
I veçanti që konkurron me Michael Jordan për të qenë më i miri i të gjitha kohëve, mbetet në nivele vërtet “qiellore”, thuajse njësoj me “yjet” e sotëm që duken sikur janë djemtë e tij.
Pas 20 vitesh në basketbollin amerikan, ai ka fituar “pavdekshmërinë”.
LeBron është shënuesi më i mirë në historinë e ligës, me 39 380 pikë, dhe me një mesatare të shkëlqyer prej 27.2 pikësh për ndeshje.
Vetëm Michael Jordan e Wilt Chamberlain kanë mesatare më të mirë sesa ai.
Ai është i katërti në renditjen e NBA-së për asiste, duke kaluar shifrën e 10 000 pasimeve për kosh, diçka që flet qartë për madhështinë.
James ka luajtur në 10 finale për titull, madje në 8 radhazi, ndonëse ka fituar vetëm 4 herë kurorën.
Katër herë është shpallur lojtari më i mirë i sezonit dhe 4 herë lojtari më i mirë i finaleve të plej ofit.
“Mbreti” i koshit është përzgjedhur 19 herë në ekipin e ndeshjes së “Yjeve”, dhe ka qenë në ekipin e parë 13 herë, që të dyja rekord.
Aktualisht, Lebroni është lojtari më i vjetër i NBA-së.
Me Kombëtaren amerikane, ai doli dy herë kampion olimpik, në 2008 në Pekin dhe në 2012 në Londër, por për habi nuk fitoi asnjë titull botëror. /abcnews/