
Lebron bën mrekullinë/ “Mbreti i basketbollit” siguron fitoren me kosh në fund
Vazhdon ta bëjë në moshën 40-vjeçare. Lebron Xhejms nuk ka ndërmend të plaket dhe ia ku shënoi një tjetër kosh për fitoren pikërisht në sirenë, siç thuhet në Amerikë, pra në fraksionin e fundit të sekondës së fundit.
Ishte koshi i tetë i tillë në karrierë, dhe vetëm Majkëll Xhordan ka më shumë në historinë e basketbollit amerikan.
Lejkërsat ia dolën në mënyrën më të vështirë, 120-119, në fushën e Indianës, dhe “Mbreti i basketbollit” kurorëzoi ndeshjen e madhe të Luka Doncicit, por edhe të vetën.
Katër herë kampioni i NBA-së e përfundoi sfidën me vetëm 13 pikë, por edhe me 13 topa në tabela e 7 asistë.
Doncic realizoi një tjetër paraqitje të shkëlqyer, dhe duket se dy yjet po arrijnë të bashkëjetojnë tek “Liqenasit”.
Kapiteni i Sllovenisë pati 34 pikë, 7 topa në tabela e 7 asistë, duke qenë më i miri në parket.
Indiana fitoi pastër në 12-minutëshin e parë, por Lejkërsat u rikthyen fort në të dytin duke qenë në epërsi në pushim të ndeshjes, madje me 13 pikë epërsi, por vendasit nuk u dorëzuan dhe thuajse ia dolën në fund, raporton abcnews.
Sidoqoftë, kombinimi Luka-Lebron ishte sërish triumfues, dhe kalifornianët janë në vend të katërt në Konferencën Perëndimore, por shumë pranë vendit të dytë.