Leao në krizë dhe pa oferta, i duhet të ringrihet te “Djalli’
Rafael Leao ishte protagonist i një tjetër paraqitjeje negative ndaj Genoas dhe u vërshëllye nga tifozët kur Pioli e thërriti në stol, diçka që po kthehet në një zakon.
Kishte ndodhur me Sassuolon në fillim të vitit dhe pastaj me Romën në prill, por në ato raste vërshëllimat e publikut ishin mbuluar nga vetë ultrasit, duke kënduar për Leaon, por të dielën me heshtjen e tyre gjithçka u amplifikua më tepër.
Leao po mbyll një sezon të komplikuar me Milanin dhe tani e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Në vitet e shkuara nuk ka dribluar vetëm në fushë, Chelsea provoi disa herë ta merrte, u fol edhe për interesim të Realit, por Rafael zgjodhi Milanin.
Rinovim i kontratës deri në 2028 me pagë dhe klauzolë prej “top-player”, është ai më i paguari në skuadër me 7 milionë në sezon, teksa për ta blerë duhen 175 milionë.
Gjithsesi, pas një sezoni jo në lartësinë e duhur, të gjithë pretendentët për të janë mënjanuar dhe është e vështirë të mendohet që te Milani mund të mbërrijnë oferta të çmendura për numrin 10.
Përtej vetëm 13 golave të shënuar, Leao ka munguar në ndeshjet kyçe, duke evidentuar problemet me vazhdueshmërinë, dhe me Milanin që mund të jetë i detyruar të shesë një ndër tre lojtarët më të mirë për të arkëtuar, Maignan, Theon apo Leaon, paradoksalisht edhe për shkak të mungesës së ofertave, Leao është ai me më shumë shanse për të qëndruar.
Leaos do t’i duhet të reagojë duke shfaqur atë që të gjithë tifozët kuqezinj presin prej tij dhe ringritja mund të vijë me trajnerin e ri, që mund të jetë një bashkatdhetar i tij.
Conceicao është në majë të listës së kandidatëve për stolin e Milanit, i ndjekur nga Fonseca. Nëse ky i fundit mund të krahasohet me Piolin për stil loje dhe menaxhim grupi, Conceicao është ndryshe, pasi komandon me grusht të hekurt dhe metoda rreshteri.
Një metodë që te Porto ka bërë të përmirësojë shumë individë, teksa te Milani mund të ketë një sfidë të re, atë për të bërë Leaon një lojtar të klasit botëror.