“Le të thotë kushtetuesja s’bën ky draft i Asociacionit, ne e respektojmë”: Hovenier kërkon ‘veprim’ nga Qeveria
Miratimi me dekret qeveritar i draft-Statutit të Asociacionit dhe dërgimi i tekstit për rishikim kushtetues.
Në këtë kërkesë u qendërzua i tërë mesazhi i ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhënë në “Rubikon” të Klan Kosovës.
Se ShBA pret që “Qeveria e Kosovës ta bëjë këtë hap”, ishte kërkesa që e përsëriti disa herë, për çka shtoi se “është në interesin e Kosovës që kjo të shkojë para, që shumë gjëra pozitive për Kosovën që ne duam t’i shohim vinë kur kjo të ec përpara”.
Për Jeffrey Hovenier, ShBA, BE dhe mbarë QUINT-i besojnë se ai tekst është konform Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, në atë tekst janë trajtuar krejt shqetësimet e artikuluara kaherë: nuk përbën shtresë të re pushteti, nuk ka autoritet ekzekutiv dhe nuk shkojnë përtej rendit kushtetues të Kosovës.
“Por nëse del që është jo në pajtim me Kushtetutën, ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hovenier.
Për kërkesën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ta dërgojë atë tekst për vlerësim në Komision të Venecias, Hovenier tha se “nuk e kuptoj dot qëllimin e këtij sugjerimi”.
Nga intervistuesi Adriatik Kelmendi, Hovenier u përballë me vlerësimet e Kurtit për draft-Statutin si ‘non-paper’, i.e, si ‘jo-dokument’.
Hovenier kujtoi se dokumenti zbarkoi në Prishtinë nga akterë të lartë politikë si këshilltarët më të lartë të sigurisë kombëtare të Gjermanisë, Francës, ShBA-së; si dhe vetë BE-së dhe ShBA-së.
“Nuk është ai dokument veç me ide të ndonjë think-tenku”.
“Është non-paper për arsyen e vetme se Qeveria apo ndonjë ministri nuk e ka miratuar. Ne presim që qeveria të merr veprim që ta dërgojë në kushtetuese; kjo është zgjedhja e qeverisë. Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ‘non-paper’ që është dorëzuar veç ashtu si disi rastësisht. Një delegacion fluturo për Kosovë me zyrtarë me përgjegjësi të larta të BE-së me këshilltarë të sigurisë kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë dhe të dërguarin e ShBA-së”, tha Jeffrey Hovenier.
“Ne ia dorëzuam dhe thamë që ne besojmë se kjo bën një Asociaicon që mbron të gjitha shqetësimet që ju keni pasur, që nuk kërkon ndryshime kushtetuese, pa autoritet ekzekutiv, as shtresë të re qeverisjes. Pra, ky dokument ka një status tejet të rëndësishëm…dhe Kosovës i thamë që kjo është mjaftueshëm e mirë që Kosova t’i përmbush obligimet e saj me këtë draft. Kjo është tmerrësisht e rëndësishme, e jo veç disa ide prej ndonjë think-tenku”.
Duke folur për kushtëzimet e fundit të Kurtit: prej letrës së Branbiq, dorëzimit të Radojçiq dhe insistimit për nënshkrim, Hovenier la të kuptojë që ShBA s’i mbështet kushtëzimet e bëra.
“Marrëveshje për ne është krejtësisht e zyrtarizuar, ShBA ka thënë kështu, BE, kjo është marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme. Ky është qëndrimi ynë, dhe kështu e trajtojmë. Dhe palët presim të zbatojnë të gjithë obligimet…Ne jemi kristal të qartë se Kosova dhe Serbia kanë hyrë në obligime, që i konsiderojmë ligjërisht të detyrueshme, edhe BE, dhe edhe Serbisë të gjitha obligimet ia futën në Kapitullin 35 të negociatave me BE-në”, tha Hovenier.
“Vendet mund të shprehin vija të kuqe ose përjashtime, por jo kjo s’është pikëpamja jonë. Të gjitha obligimet duhet të zbatohen”, tha mes tjerash Jeffrey Hovenier.
Në lidhje me anëtarësimin e bllokuar të Kosovës në Këshillin e Evropës, Hovenier iu kthye sërish draft-Statutit të Asociacionit, gjë që, siç e elaboroi ai, është tashmë obligimi kryesor për të ecur tutje në integrimet e saj në institucionet evropiane.