
LDK propozon qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, ftesë partive për mbështetje në interes të vendit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar përmes një deklarate të përbashkët nga Kryesia dhe Grupi Parlamentar, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për krizën politike dhe institucionale që ka mbërthyer vendin tash e tre muaj.
Në deklaratë thuhet se vendi gjendet pa Kuvend funksional dhe pa një qeveri të konsoliduar, ndërsa mungon çdo përgjigje konkrete ndaj shqetësimeve të qytetarëve. LDK e konsideron këtë situatë si pasojë të paaftësisë së partisë fituese për të krijuar shumicën parlamentare dhe për të funksionalizuar institucionet.
“Çdo përpjekje për funksionalizim pa një shumicë parlamentare është imponim politik, jo zgjidhje reale,” thuhet në deklaratë, raporton Rekordi.net.
LDK paralajmëron se zvarritja e kësaj gjendjeje përbën rrezik për rendin kushtetues dhe dëm të drejtpërdrejtë për qytetarët. Si zgjidhje, partia ka propozuar krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat të qartë dhe të kufizuar.
“LDK mbetet e përkushtuar për të vepruar me përgjegjësi dhe maturi në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje. Ftojmë të gjitha partitë politike që ta mbështesin këtë propozim në interes të vendit,” përfundon deklarata e LDK-së. /Rekordi.net