LDK premton investime milionëshe në kulturë e sport
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, sonte në shpalosjen e programit për kulturë e sport të kësaj partie.
Abdixhiku foli rreth projekteve që planifikon t’i realizojë në këto fusha nëse vie në krye të Qeverisë.
Ai premtoi ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Sportit në vlerë prej 100 milionë eurosh, e po ashtu edhe ndërtimin e pesë stadiumeve të kategorisë 3 dhe 4 të UEFA-s në Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë e Prizren.
Për Kulturën, i pari i LDK-së tha se është planifikuar “Ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit Dr. Ibrahim Rugova, në vlerë prej 25 milionë eurove; Ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës; Ndërtimin e Muzeut Bashkëkohor në vlerë prej 10 milionë eurove; Themelimin dhe ndërtimin e Muzeut të Paqes dhe Rezistencës dhe adoptimin e 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës, në modelin e adoptimit të Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ në Prishtinë”, tha numri një i LDK-së.
Kurse, për turizëm premtoi 80 milionë euro investime në resortin modern turistik në Brezovicë e 50 milionë euro investime në resortin e Pejës.
“Kosovës i duhen ambicie të mëdha. Ambicie që bëjnë të ardhmen e na nxjerrin nga moçali i thellë i pështymave, ndarjes e propagandës”, tha Abdixhiku.