LDK-ja përkujton Fadil Feratin, Abdixhiku: Fadili ishte njeri i urtë dhe vizionar

LDK-ja përkujton Fadil Feratin, Abdixhiku: Fadili ishte njeri i urtë dhe vizionar

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka organizuar akademi përkujtimore kushtuar veprimtarit e atdhetarit, ish-nënkryetarit të LDK-së e kryetarit të Istogut, Fadil Ferati.

“Bashkë me Ilirin dhe familjen, dhe me bashkëveprimtarë e miq të tij, nderuam kujtimin e njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të historisë moderne të Istogut, në 15 vjetorin e ikjes nga jeta, Fadil Ferati”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se Fadili nuk ishte thjesht një kryetar komune apo një politikan. “Ai ishte një shembull i përkushtimit të palëkundur ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit të Kosovës. Njeri i urtë dhe vizionar, ai ishte ndër shtyllat më të forta të LDK-së, besnik e i pathyeshëm ndaj vizionit të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova”.

“Puna dhe angazhimi i tij në politikë ishin mishërim i përkushtimit ndaj qytetarëve, të cilët ia besuan drejtimin e Istogut për vite me radhë. Si nënkryetar i LDK-së dhe pjesë e strukturave drejtuese të partisë në Istog, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe në fazat kyçe shtetformuese të vendit”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se sot, teksa kujtojnë Fadilin, ndjejnë mungesën e tij, por edhe forcën e trashëgimisë që ai ka lënë pas. “Vepra e tij mbetet udhërrëfyese për të gjithë ata që besojnë në politikën si shërbim ndaj qytetarit dhe në idealet e një Kosove të zhvilluar dhe demokratike. LDK-ja dhe unë, e sot dhe djali i tij, Iliri, bashkë jemi të përkushtuar, që të punojmë nërrugën e idealeve që kanë trasuar brezi i Fadilit dhe jemi të përkushtuar që këtë kulturë e këto vlera, t’i përcjellim te breznitë e reja. Në këtë 15 vjetor, te varri i tij bashkë me familjen dhe bashkëpunëtorë bëmë dhe homazhe në nderim të jetës dhe veprës së këtij burri të madh”, ka thënë Abdixhiku.

Share This