LDK-ja: Kurti po prish raportet me aleatët të ndërtuara me mund përgjatë viteve
Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike, Imri Ahmeti, ka shprehur habinë si Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti me kaq lehtësi prish ose rrezikon raportet me shtetet aleate, të cilat janë ndërtuar me mund “në një periudhë të gjatë kohore”.
Kryetari i Lipjanit, në një bisedë me Ekonomia Online, e ka vlerësuar shumë të dëmshme “logjikën përjashtuese dhe prolonguese të kryeministrit Kurti” në raport me dialogun. Sipas tij, polarizimet në skenën e brendshme, por edhe me ndërkombëtarët janë kartat e vetme që e mbajnë gjallë Qeverinë Kurti.
“Definitivisht nuk na vjen mirë që jemi në këtë pozicion politik në raportet ndërkombëtare. Polarizimet e brendshme në shoqërinë tonë dhe polarizimet në regjion e në nivel ndërkombëtar, janë si duket një ndër kartat që e mbajnë më së shumti në jetë këtë qeverisje. Këto tendenca që raportet të shkojnë në vazhdimësi duke u keqësuar, nuk besoj që i bëjnë hajër këtij vendi dhe do të jetë vështirë e mundur dhe kohë e gjatë pune për të rikthyer një raport të tillë çfarë e ka pasur vendi ynë. Është për t’u habitur që me kaq lehtësi prishen ose rrezikohen këto raporte”, ka thënë Ahmeti.