Lautaro merr për dore Interin, zikaltrit bëjnë detyrën ndaj Monzës
Interi e nis me këmbën e mbarë sezonin e ri, duke ia dalë të triumfojë me rezultatin e pastër 2-0 ndaj Monzës, në sfidën e javës së parë të kampionatit italian.
Kapiteni i ri i zikaltërve, Lautaro Martinez vulosi ndeshjen me një dopietë, pasi shënoi nga një gol për çdo pjesë dhe i dha tre pikët skuadrës së drejtuar nga Simone Inzaghi.
Sulmuesi argjentinas zhbllokoi sfidën në minutën e 8’, pasi finalizoi një aksion perfekt të zikaltërve, ndërsa në të 76-ën vulosi fitoren, duke shtyrë në rrjetë një asist perfekt të Marko Arnautovic.
Debutuan disa prej afrimeve të verës te Interi, me Yann Sommer që ishte një spektator pa pagesë, Marcus Thuram, që veçanërisht në pjesën e parë tregoi cilësi mjaft të mira teknike dhe Arnautovic, që dukej sikur nuk ishte larguar kurrë nga zikaltrit.
Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Fiorentina triumfoi me rezultatin e thellë 1-4 në transfertën ndaj Genoas së sapo-ngjitur në Serinë A. /SS/