Lautaro Martinez: Asllanin më mbante mëri, jam pranë rinovimit
Në një intervistë për “la Gazzetta dello Sport”, Lautaro Martinez foli për disa çështje delikate mes së cilave edhe rinovimi i kontratës së tij me Interin si dhe raporti me Asllanin.
Mbi Asllanin – “Në fillimin e këtij sezoni bisedova me Asllanin sepse vura re se ishte disi i mërzitur dhe i dhashë disa këshilla. Në fillim nuk e priti mirë atë që i thash dhe më mbajti mëri disa javë, por më pas gjithçka shkoi mirë dhe më falenderoi. Besoj se Asllani është e ardhmja”.
Mbi titullin – “Është një kënaqësi që zgjat për të gjithë jetën. Inter është shtëpi ime, kështu jam ndjerë nga dita e parë në Milano. I detyrohem gjithçka shoqërisë dhe tifozerisë zikaltër, ta ngrija trofeun si kapiten ishte e jashtëzakonshme. Skuadrës i kam thënë që në fillim që një kapiten ka nevojë për të gjithë, dhe ata më kanë mbështetur gjithnjë”.
Rinovimi – “Jam shumë afër akordit, mungojnë vetëm disa gjëra të vogla. Kjo situata që po kalon klubi mund ta vonojë pak, por nuk ka asnjë problem”.
Objektivat – “Nuk dua të zgjedh mes disa objektivash, por mendoj se hapi i radhës është Champions League. Ishte një ëndërr të ishim aq pranë në Stamboll, ndërsa këtë sezon më ka mbetur ‘peng’ ndeshja me Atletico Madrid”. /rtsh/