Lautaro: Jam i detyruar të ndalem, do të kthehem shumë shpejt
Sulmuesi argjentinas Lautaro Martinez, ka thënë se i vjen keq që nuk do të mund ta ndihmojë Interin në ndeshjet e mbetura të këtij viti.
Tashmë është konfirmuar se ylli argjentinas ka një shqetësim muskulor në kofshën e majtë dhe lojtari do të jetë larg fushës së blertë deri në vitin 2024.
Tekniku Simone Inzaghi shpreson që ta ketë të gatshëm sulmuesin për ndeshjen e 6 janarit kundër Veronës.
Argjentinasi përmes rrjeteve sociale, thotë se është i detyruar ta ndalet për disa ditë për shkak të lëndimit.
“Më vjen shumë keq për ndeshjen e së mërkurës, Kupa e Italisë është një kompeticion që e vlerësojmë shumë, e kemi treguar duke fituar dy edicionet e fundit. Pas 89 ndeshjeve radhazi për fat të keq jam i detyruar të ndalem dhe më vjen keq që nuk mund të ndihmoj shokët e mi. Do të bëj pushim të detyruar për disa ditë dhe të kthehem në fushë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Martinez.