“Lautaro i çmendur, vetëm një ekip mund t’ia marrë titullin Interit”
Luka Toni, kampion bote me Italinë në 2006, sheh Interin si skuadrën favorite për fitimin e Serie A, edhe pse Napoli nuk duhet nënvlerësuar.
“Për mua gara për titullin varet nga Interi. Zikaltrit kanë një kontingjent të pasur lojtarësh, skuadrat e tjera ndodhen në vështirësi.
Napoli është në të njëjtin nivel me Interin sa i përket formacionit titullar, por si skuadër qëndron më lart ajo e Inzaghit.
Juventusi tregoi se mund ta përballojë Interin, edhe pse me një skuadër inferiore, por goli i Lautaros ishte i jashtëzakonshëm.
Sigurisht që gaboi edhe Gatti, por argjentinasi bëri diçka të çmendur, duke u konfirmuar një sulmues i vërtetë.
Lautaron e ka ndihmuar shumë fitimi i Botërorit, ndërkohë që shiriti i kapitenit i ka dhënë shumë përgjegjësi, e ka bërë të rritet.
Ai është një futbollist i rëndësishëm tani, një lojtar i nivelit të lartë, padyshim që e ka hedhur hapin e fundit për t’u bërë i tillë”, u shpreh autori i 322 golave, golashënuesi i katërt më i mirë italian.
Lautaro Martinez kryeson renditjen e golashënuesve në Serie me 13 gola të realizuar në po kaq takime.