Latifi: Epopeja e UÇK-së në Rahovec u shkrua me gjak
Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në kuadër të shënimit të “Epopesë së Korrikut 1998” ka bërë nderime pranë lapidarit të të rënëve së bashku me bashkëluftëtarë, bashkëpunëtorë dhe familjarë të të rënëve. Me këtë rast u zbulua edhe pllaka përkujtimore që shënon barrikadën e vendosur më 17.7.1998 nga dëshmori Besim Paçarizi.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të tij, Latifi u shpreh se korriku i vitit 1998, për ata dhe brezat pas tyre, është dëshmi e një faqeje krenarie, lavdie e dhimbjeje e historisë më të re të shkruar me jetë e gjak trimash.
“Në këto luftime, nga 17 – 26 korrik ‘98, humbëm shumë bashkëluftëtarë trima të sprovuar në beteja e qytetarë të paarmatosur, por pesha e roli i UÇK-së dhe lufta jonë kundër pushtuesit, ishte e gjallë, rezistenca jonë ishte e fortë dhe rruga e lirisë kërkonte nga ne çmimin e lartë të gjakut. Epopeja e UÇK-së në Rahovec, u shkrua me gjak, me shembuj heroizmi e përkushtimi të UÇK-së, të shqiptarëve liridashës, të atyre që ia kthyen gjoksin furtunës, për ta ndalë, për ta goditur e për ta përzënë nga ky truall pushtuesin barbar serb”, shkruan ai, raporton rtk.
Nderime u bënë pranë lapidarit të të rënëve si : Arian Brahimit – Shkodranit, Mizahir Ismës, Eshrefedin Kastratit, Bekim Ismës, Habib Berishës, Ramadan Morinës, Ruzhdi Xhuliqit, Samir Nurkasës, Xhafer Nurkasës, Gëzim Mullabazit dhe Xhevat Kasapit.