
Lajmet për mbylljen e MCC-së, Hoti akuza Kurtit: Bukëpërmbysës, Kosova do t’i humbë 220 milionë dollarë
Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë amerikane (DOGE) i Elon Musk do t’i japë fund punës së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka raportuar të enjten “Reuters”, sipas një incizimi të takimit të stafit dhe një email për stafin që e ka parë ky medium.
Për këtë çështje ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se me mbylljen e MCC-së do të pësojë më së shumti Kosova, ndërsa qeverinë Kurti e akuzoi për refuzimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila u nënshkrua nga ai sa ishte kryeministër – që si rrjedhojë pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz.
“MCC-ja po mbyllet. Kosova është ndër vendet që do pësojë më së shumti. Refuzimi i marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz. Tani kur edhe MCC-ja po mbyllet në kuadër të reformimit të Administratës Amerikane nga presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe shumën prej 220 milionë dollarëve për blerjen e baterive për ruajtje të energjisë. Bashkë me këto edhe shumë projekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Hoti, kryeministrin në largim, Albin Kurti, e ka quajtur bukëpërmbysës, duke thënë se me injorimin e kësaj marrëveshje, ka refuzuar partneritetin me ShBA-në.
“Kështu ndodh kur qeverisin bukëpërmbysurit, të cilët duke injoruar Marrëveshjen e Uashingtonit refuzuan partneritetin me ShBA – shtetin që është përgjegjësi kryesor për ekzistencën e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Këta gjithashtu refuzuan të pezullojnë tarifat e importit për produktet amerikane. Kjo qeveri po punon kundër interesave tona strategjike”, ka shkruar Hoti.
Me lëvizjen e re të DOGE, Kosova rrezikon më shumë se 200 milionë dollarë.
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane dhe Qeveria e Kosovës vitin e kaluar lansuan zbatimin e programit kompakt, që ishte i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër.
Programi kishte vlerën prej 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo vlerë, 202 milionë ishin nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera kontribut i Qeverisë së Kosovës.