Lajm i mirë për Juventus në prag të sfidës ndaj Milan, rikthehet në stërvitje Chiesa
Sulmuesi i Juventusit, Federico Chiesa u rikthye në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës të premten përpara ndeshjes së rëndësishme në Serie A kundër liderëve të ligës Milan, të dielën në mbrëmje.
25-vjeçari ishte ftuar në skuadrën e Italisë nga Luciano Spalletti për ndeshjet e fundit kualifikuese të EURO 2024 kundër Maltës dhe Anglisë, por më vonë u tërhoq, për shkak të një shqetësimi në kofshë.
Ekzaminimet e mëvonshme mjekësore përjashtuan mundësinë e një lëndimi të rëndë muskulor, por shqetësimi i vazhdueshëm për Chiesan nënkuptonte se ai nuk ishte stërvitur për më shumë se një javë.
Tani megjithatë, media të shumta duke përfshirë “Goal Italia” dhe “Il Corriere dello Sport” raportojnë se Chiesa u rikthye në stërvitje me grupin të premten, pasi kishte ndjekur një plan të personalizuar ditët e mëparshme, transmeton abc.
“Il Corriere dello Sport” shton se mund të jetë shumë e shpejtë për Chiesan që t’i jepet një rol titullar kundër kuqezinjve në “San Siro” këtë fundjavë, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jap kontributin e tij duke hyrë nga stoli.