Laçi shtang Tiranën, e mund 3-0
Kategoria Superiore e Kampionatit kombëtar të Futbollit ka mbyllur të martën javën e saj të 7-të, me takimin e fundit, Tirana-Laçi, që u luajt pasdreke në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Bardheblutë erdhën në këtë sfidë pas humbjes së papritur në shtëpi me Erzenin, ashtu sikundër edhe kurbinasit pas dy humbjeve radhazi, që çuan në largimin e trajnerit Skerdi Bejzade dhe zëvendësimin e tij me Mirel Josën.
Dhe trajneri i ri e ka dhënë menjëherë efektin pasi Laçi e ka mbyllur në epërsi minimale pjesën e parë, me golin e realizuar nga Sobouejll. 45 minutat e dyta kanë parë një lojë më të hapur, me të dyja skuadrat që kërkonin golin që mund të vendoste shumëçka sa i përket fatit të këtij takimi. Tirana ishte skuadra që e ka kërkuar me ngulm barazimin në pjesën e dytë, por është ndëshkuar në fund nga miqtë, të cilët kanë shfrytëzuar me shumë efikasitetit kundërsulmin.
Manellari në minutën e parë shtesë dhe Talebi në të 4-tën, nga 7 që u dhanë gjithsej, kanë gjetur rrugën e rrjetës për Laçin, që merr kështu një fitore 3-0 në kryeqytet ndaj Tiranës. Kurbinasit ngjiten kështu në vendin e 3-të, në kuotën e 10 pikëve, po aq sa kanë edhe bardheblutë, që kanë luajtur sidoqoftë një ndeshje më pak.
Egnatia vazhdon të kryesojë në kuotën e 13 pikëve, një më tepër sesa Skënderbeu, por të dyja skuadrat kanë luajtur një ndeshje më pak sesa Tirana dhe dy më tepër sesa Partizani, që mban vendin e 6-të, me 8 pikë.