
Kvara para duelit me Arsenalin: Jemi ndër më të mirët në botë, ëndërrojmë Ligën e Kampionëve
“Ne kemi sulmues të mëdhenj dhe jemi një nga skuadrat më të rrezikshme në botë”.
Khvicha Kvaratskhelia është përforcimi i fundit i yjeve të Paris Saint Germain, ka ide të qarta përpara ndeshjes së parë gjysmëfinale të UEFA Champions League kundër Arsenalit.
“Pjesa më e vështirë është se kur lëviz në janar, arrin në skuadër në gjysmë të sezonit. Është e gjitha e vështirë dhe ka pak kohë për t’u përshtatur”, shpjegon 24-vjeçari gjeorgjian, dikur i Napolit.
“Por mendoj se jam përshtatur mjaft mirë, falë stafit, trajnerëve, klubit dhe sigurisht lojtarëve”.
Një transferim sigurisht i favorizuar, përveç kontratës së re, edhe nga mundësia për të luajtur në Champions League:
“Është ndoshta turneu më i rëndësishëm. Është ëndrra e çdo futbollisti dhe të gjithë duan ta fitojnë atë, por është shumë e vështirë. Edhe arritja në këtë fazë është e vështirë për çdo ekip – shton ai – Emri i thotë të gjitha: Champions League, turneu i kampionëve. Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën, të fokusohemi në çdo ndeshje, në çdo moment që na pret. Mendoj se për ne gjithçka është e mundur”.