Kuvendi miraton Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë

Kuvendi miraton Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë

Me 62 vota deputetësh është votuar në lexim të dytë Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky dokument arriti që brenda ditës të kalojë në të dyja leximet meqë në seancën e paradites kaloi në lexim të parë. Votimi i këtij ligji me 62 vota deputetësh, u bë pa praninë e tri partive opozitare, PDK-së, LDK-së e AAK-së e që u përcoll me duartrokitje nga deputetët e partisë në pushtet.

Duartrokitje patën edhe kur kaloi në lexim të dytë, po ashtu brenda ditës ligji për Banimin Social të Përballueshëm, që mori 62 vota deputetësh. Njëjtë morën vota edhe 10 amendamentet e propozuara për këtë ligj nga komisioni funksional e që u votuan njëherësh nga deputetët.

Votë mori aty edhe projektligji i tretë që sot po ashtu kaloi gjatë paradites në lexim të parë ai për Sigurimet e Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.

Njëjtë vota mori dhe kaloi edhe Plotësim Ndryshimi i Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar e Auditim.

62 deputet ishin në sallë edhe kur u kërkua votimi për prani në mënyrë që të hapej seanca e re plenare e planifikuar sipas kalendarit zyrtar të fillonte qysh në orën 14:00 të ditës.

Seanca e re nisi me kërkesa nga partia në pushtet për plotësim të rendit të ditës.

Ata kërkuan që si pikë e tretë të radhitet shqyrtimi i parë i Projektligjit për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Si pikë e 4 të radhitet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Bankat. E pesta të radhitet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ai për Ofruesin e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, po ashtu në lexim të dytë. Ndërkaq propozuan që të futet në rend ditë në lexim të pare edhe projektligji për Ndryshimin e Plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. /rtk/

Share This