
Kuvendi i Shqipërisë miraton tre marrëveshje me BE
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 71 vota pro disa projektligje të rëndësishme që lidhen me rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, si dhe tre Akte Normative.
Një prej këtyre projektligjeve ishte ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për programin operacional shumëvjeçar për punësimin e të rinjve, në favor të Republikës së Shqipërisë, për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III)”.
Gjatë prezantimit të këtij projektligji ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha kjo iniciativë e rëndësishme synon jo vetëm të adresojë sfidat e tregut të punës, por mbi të gjitha të krijojë mundësi të reja për rininë shqiptare.
Po ashtu Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për programin operacional shumëvjeçar për ekonominë dhe shoqërinë digjitale, në favor të Republikës së Shqipërisë për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III)”.
Me 71 vota pro u miratua edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për programin operacional shumëvjeçar për energjinë, në favor të Republikës së Shqipërisë, për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III)”.
Programi përfshin një financim total prej 44 milionë eurosh, nga të cilat 30 milionë euro janë grant nga Komisioni Evropian dhe 14 milionë euro bashkëfinancim nga buxheti i shtetit shqiptar. Raporti i bashkëpunimit është 68% financim evropian dhe 32% kombëtar.
Po ashtu, Kuvendi miratoi me 71 vota pro edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar”.
Në seancën e sotme plenare Kuvendi miratoi po ashtu me 71 vota pro edhe tre Akte Normative, konkretisht: aktin normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025″”; akti normativ “Për një shtesë në ligjin “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, i ndryshuar; aktin normativ “Për një shtesë në ligjin “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë, i ndryshuar.
Një tjetër projektligji i miratuar sot është edhe ai “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.
Po ashtu me 71 vota pro u miratua projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Themelimin e Zyrës Evropiane të Komunikacioneve (ECO) Hagë, më 23 qershor 1993, të ndryshuar në Kopenhagë, më 9 prill 2002”.
Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t për financimin e “Mbështetjes për buxhetin e përgjithshëm mbi përpjekjet për zhvillim””.
Huaja me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabi, ka normë interesi 4%, afat maturimi 15 vjet dhe përfshin një periudhë grace 3-vjeçare, ndërsa shoqërohet me një grant tjetër prej 20 milionë dollarësh, që ul normën efektive të interesit me 5.1%.
Projekti synon gjithashtu përshpejtimin e integrimit europian dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Një tjetër projektligj i miratuar sot ishte edhe ai “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit “Doganat”, për bashkëpunim në fushën e doganave”.
Me 71 vota u miratua po ashtu edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për marrëveshjen e huas ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group, sh.a., (OSHEE) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e qëndrueshmërisë së OSHEE-së”. /atsh/