Kurtin e pyesin për takimet në Davos, thotë dy emra dhe del te fushata: Tash kemi një tubim në Cyrih

Kurtin e pyesin për takimet në Davos, thotë dy emra dhe del te fushata: Tash kemi një tubim në Cyrih

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këto ditë ka qëndruar në Davos të Zvicrës, atje ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror.

Gjatë një interviste në “Euronews Albania”, Kurti është pyetur për takimet e tij atje. Megjithatë, kryeministri dha vetëm dy emra, dhe doli menjëherë te fushata zgjedhore.

“Po! Kam takuar kryeministrin e Lituanisë, Paluckas pastaj edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide. Dhe më pastaj shumë takime të shkurtra në dreka e darka e kokteje që organizohen këtu, ku në njërën anë shpalosëm të arriturat e Kosovës, avancimi demorkatik e rritja ekonomike, në të njëjtën kohën tregojmë sfidat e sigurisë që na i ka shkaktuar Serbia, por që kemi dalë vazhdimisht fitues” – ka thënë fillimisht ai.

Shefi i Lëvizjes Vetëvendosje më pas vijoi të flasë për një tubim në Cyrih, për të cilin aktivistë të partisë së tij u kanë bërë thirrje diasporës që të marrin pjesë, anise partia nuk e dha si njoftim zyrtar.

“Tash e kemi edhe një tubim në Cyrih, pastaj vazhdojmë me fushatën tonë në Kosovë drejt së dielës së nëntë shkurtit, ku do të mbahen zgjedhjet e para të rregullta pas një mandati të plotë të qeverisë që nga shpallja e pavarësisë” – tha ai.

Ndërkohë, të mërkurën gjatë paraqitjes në një panel diskutimi, Kurti gjeti kohë që edhe atje të sulmojë opozitën e të bëjë fushatë.

“Këtu, Fondi Sovran është diçka që mezi e presim. Kemi hartuar koncept-dokumentin, e kemi votuar në Qeveri, kemi një ligj që ka kaluar në lexim të dytë, por po e pret dritën e gjelbër në Gjykatën Kushtetuese sepse opozita jonë…aktiviteti kryesor i opozitës në Kosovë është t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese, opozita jonë funksionon si gozhdë, si për të vendosur rërë në rrotat tona që çdo gjë të ngadalësohet. Por mendoj se këtë vit do të bëhet Fondi Sovran…” – tha ai.

Share This